Djali i Thaçit falënderon Ramën dhe Begajn për pritjen: Shqipëria asnjëherë nuk i harron themeluesit e shtetit të Kosovës
Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, është shprehur i emocionuar me pritjen që ia kanë bërë institucionet e Shqipërisë për nder të 28 Nëntorit.
Ai ka falënderuar Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për ftesën që i ka bërë për ceremoninë dhe kryeministrin Edi Rama për fjalët e ngrohta.
Në llogarinë e tij në “Instagram”, ai ka shkruar se shteti shqiptar asnjëherë nuk i ka harruar themeluesit e shtetit të Kosovës.
“E falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë per ftesën në pritjen shtetërore për Ditën e Flamurit. Shumë faleminderit edhe Kryeministrit Rama për fjalët e ngrohta. Shteti i Shqipërisë asnjëherë nuk i harron themeluesit e shtetit të Kosovës, duke treguar dinjitet dhe respekt të pashoq babit dhe të gjithë UÇK-së. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kosovën. Ky vit të jetë i fundit i festave pa çlirimtarët”, ka shkruar djali i ish-presidentit.
