Djali i Shaban Manajt për vrasjen e babait: Mendoj që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë - NACIONALE

Djali i Shaban Manajt për vrasjen e babait: Mendoj që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Djali i veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manajt, Shkëmb Manaj, ka thënë që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë që vrasjet e pasluftës të mos zbardhen.

Kjo deklaratë e tij vjen në 22-vjetorin e vrasjes së Manajt, rasti i të cilit edhe nuk është zgjidhur.

“Normalisht na rëndon edhe neve, i rëndon edhe bashkëpunëtorët edhe miqtë por edhe vetë shtetit të Kosovës, sepse vrasjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe jo vetëm të LDK-së, por edhe të figurave të tjera ushtarake në Kosovën e pasluftës normalisht që kanë qenë momente të vështira sepse ne kaluam një luftë të vështirë, një luftë të rëndë, dhe nuk kemi pritur që liria e Kosovës të përgjaket duke u vrarë njerëzit, të cilët gjithë jetën e tyre e kanë vënë në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Manaj në Klan Kosova.

Manaj tregon se kanë qenë bashkëpunues me institucionet e drejtësisë që nga periudha e pasluftës.

“Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet e drejtësisë së vendit tonë që nga periudha e vitit 2000, domethënë që pas vrasjes së babës, dhe në atë periudhë ju e dini që pjesa e drejtësisë është menaxhuar nga UNMIK-u, pra ka qenë kompetencë e rezervuar e ndërkombëtarëve deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Është zhvilluar në atë kohë një proces gjyqësor, ka pasur të arrestuar si kryes të mundshëm të vrasjes së babës por në fund të procesit janë liruar të pafajshëm për mungesë të dëshmive”, tha ai

Për të, sistemi i drejtësisë ka dështuar t’i zbulojë këto raste, sespse siç thotë ai, “kanë qenë të planifikuara”.

“Domethënë, mënyra se si kanë ndodhur në një zinxhir në një periudhë të caktuar kohore janë vrarë personalitetet më të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të figurave të tjera ushtarake, dhe asnjëra prej këtyre vrasjeve nuk është zbuluar. Dhe fakti pse asnjëra prej këtyre vrasjeve nuk është zbuluar, tregon se mënyra, organizimi i tyre ka qenë do të thosha goxha i profesionalizuar, në atë mënyrë edhe ndoshta të mos mund të ndriçohej. Unë mendoj që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në vendin”, tha ai.

Lajme të ngjashme