Djali i heroit Xhevat Berisha viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Bear Berisha, djali i heroit Xhevat Berisha ka vizituar sot ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ku ka shkruar se ka vizituar burrat e ndershëm e luftëtarët trima që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Berisha tutje ka shkruar se këta burra janë bartësit e lirisë dhe firmëtarët e shpalljes së Kosovës së pavarur.
“Nga Vjena u nisa për Hagë, i palëkundur në bindjet e mia se do t'i takoj shokët e babit Hero i Kosovës (Xhevat Berisha), të cilët si dje kur i kam takuar në Prishtinë, si sot në Hagë - më frymëzuan me qetësinë, qëndrimin burrëror dhe më bindën tejmase se qëndrimi i tyre larg vendit që e çliruan, është beteja që po e bëjnë për ta mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së, e cila ishte e pastër dhe e përkrahur fuqimisht nga populli”, ka shkruar ai.
Tutje Berisha ka thënë se gjatë vizitës është bindur se çlirimtarët, ishin më të vendosur se kurrë më parë për ta vazhduar luftën për pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe se nuk është e vërtetë se ata po mbahen në Hagë për krime, sepse krimi ka bërë Serbia e regjimi i saj dhe jo UÇK-ja.
“Jam bindur gjithashtu se ata edhe nga Haga po angazhohen që Kosova ta vazhdojë rrugën e shtetndërtimit, sepse në themelet e saj është gjaku i dëshmorëve, i martirëve dhe sakrifica e mijëra luftëtarëve. I bindur se pavarësisht furtunave e pengesave politike, drejtësia do të triumfojë dhe shumë shpejtë me çlirimtarët do t’i vazhdojmë punët e mira në Prishtinë e Prizren, në Mitrovicë e Preshevë”, ka shkruar djali i heroit.
Ai tutje ka thënë se është krenar që është i biri i heroit dhe biri i këtyre luftëtarëve të lirisë, që kanë dhënë e po vazhdojnë të japin edhe sot për Kosovën!
