Dita e parë e marrëveshjes, në veri sërish afishe kundër tabelave RKS
Në Mitrovicë të Veriut sërish janë shfaqur afishe kundër riregjistrimit të makinave në targat RKS- Republika e Kosovës.
Në xhamin e përparmë të disa makinave janë parë afishe me mbishkrime “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbet”, duke iu referuar targës KM (Mitrovicë e Kosovës) e cila lëshohet nga autoritetet e Serbisë dhe konsiderohet e paligjshme nga Kosova.
Po ashtu, simboli i Kosovës në disa targa të veturave është mbuluar me letra ngjitëse ku shkruan KM.
Më 1 shtator ka nisur afati prej 61-ditësh për riregjistrimin e veturave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – që përdoren nga qytetarët serbë në veri të Kosovës. /REL
