Dita e Komunitetit Ashkali, Haxhiu pret përfaqësuesit politik të komunitetit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim deputetin Artan Asllani dhe përfaqësues të komunitetit Ashkali, me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali dhe Ditës së Flamurit të tyre.
Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të nivelit qendror e lokal si dhe aktivistë të komunitetit, Haxhiu uroi qytetarët Ashkali për festën, duke vlerësuar kontributin e tyre në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan sfidat me të cilat përballet komuniteti dhe mundësitë për t’i tejkaluar ato përmes bashkëpunimit institucional. “Diversiteti dhe bashkimi nuk janë thjesht forca jonë si shoqëri, por forca e vetë Republikës”, theksoi Haxhiu.
Ajo shtoi se, përkrah angazhimit të ekzekutivit, edhe Kuvendi do të mbetet i përkushtuar për të garantuar barazi dhe mundësi të barabarta për komunitetet joshumicë.