Dita botërore e mësuesve, Jasharaj: Jemi të dëshpëruar e pa paga
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jasharaj, ka uruar të gjithë mësimdhënësit me rastin e ditës botërore të mësuesve.
Megjithatë, ai ka përmendur faktin që ende nuk kanë dalur pagat për mësimdhënësit, pasi qeveria nuk po i procedon ato pas grevës.
Jasharaj ka thënë se janë të dëshpëruar e pa paga, si pasojë e vendimeve të qeverisë.
“Është 5 Tetori dita ndërkombëtare e mësuesit. Sot të 31 milionë mësuesit, anëtarë të Internacionales Botërore të Arsimit, e në këtë numër bëjnë pjesë edhe anëtarësia e SBASHK-ut, me aktivitete shënojnë këtë ditë të madhe të mësuesit. Sot lartësohet kujtimi për sakrificat sublime të mësuesit nëpër vite e dekada. Sot rikthehet kujtimi edhe për mësuesit e Kosovës, që në vitet e 90-ta kanë bërë sakrifica sublime në mbrojtje të dritës kundër errësirës e duke ruajtur idealin dhe shpresën për Kosovën shtet. Sot, më 5 tetor miliona mësues të botës kremtojnë ditën e tyre dhe blejnë ndonjë dhuratë e ca gjësende për të festuar, ndërsa punëtorët e arsimit në Kosovë festojnë të dëshpëruar e pa pagat deri në këtë moment kur po shkruaj këtë shkrim. Qeveria e tyre i ndëshkojë për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë. Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës ndërkombëtare të mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”, thuhet në një letër që Jasharaj ua ka përcjellur mediave.