Disa të lënduar nga sulmi me shpatë në një shkollë në Suedi
Disa persona janë lënduar pas një sulmi me shpatë në një shkollë të mesme në Suedi, thonë autoritetet lokale.
Policia tha se ka arrestuar një burrë pas incidentit që ndodhi në shkollën “Brinell” në qytezën Fagersta, në pjesën qendrore të Suedisë, raporton televizioni BBC.
Oficerët u thirrën për të shkuar në vendin e ngjarjes pak pas orës 14:00 të premten. Në disa raportime të mediave suedeze thuhet se i dyshuari u qëllua me armë në këmbë nga policia.
Këshilli i qytezës nuk e saktësoi numrin e të lënduarve, por tha se policia ishte duke bërë bastisje në ndërtesë dhe se tetë shkolla të tjera ishin vënë nën masa izolimi.
Policia ka thënë se tani për tani nuk ka rrezik për publikun.
Rajoni Vastmanland, ku shtrihet Fagersta, shpalli gjendje të vigjilencës së lartë pas sulmit.
Në një shkrim në rrjetin X, kryeministri suedez, Ulf kristersson, e përshkroi sulmin si “incident serioz” dhe tha se “nuk dimë se çfarë ndodhet prapa aktit, por dimë se policia është duke punuar shumë intensivisht”.