Disa projekte për energjinë të refuzuara, Bajrami: Për motivet të përgjigjet Qeveria - NACIONALE

Disa projekte për energjinë të refuzuara, Bajrami: Për motivet të përgjigjet Qeveria

2 javë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime lidhur me pasojat që, sipas saj, ka sjellë refuzimi i projektit të gazit amerikan nga Qeveria në detyrë.

Ajo vlerëson se vendimi nuk nënkupton vetëm heqjen dorë nga një projekt infrastrukturor, por edhe humbjen e një mundësie për të rritur sigurinë energjetike, për të forcuar konkurrueshmërinë ekonomike dhe për të zvogëluar varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.

“Pasojat tashmë po i shohim, po i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk është thjesht refuzim i një infrastructuke. është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën më të sigurt në aspektin e furnizimit me energji, më konkurruese ekonomikisht dhe më pak të varur nga importi. Për gjashtë vjet qeverisje nuk janë shtuar kapacitete të reja gjenerues, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë Kosova ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike. Kjo tregon se nuk kemi ndërtuar alternativa, por kemi thelluar varësinë nga importi. Në vend që Kosova të bëhej pjesë e rrjetit rajonal të gazit, të diversifikoj burimet e furnizimit dhe të rriste sigurinë energjetike, sot rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve që do ta përcaktojnë konkurrueshmërinë ekonomike të rajonit në të ardhmën e afërt. Kostoja nuk është vetëm energjetike, është ekonomike e është edhe politike. Bizneset po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë. Disa tashmë kanë vështirësi serioze operimi, ndërsa të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e investimeve jashtë Kosovës. Prandaj, refuzimi i këtij projekti nuk është vendim pa pasoja, është vendim që prek drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, investimet, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.”

Bajrami tha gjithashtu se Qeveria në detyrë duhet të sqarojë motivet që çuan në refuzimin e projektit të gazit amerikan. Sipas saj, faktet tregojnë një vazhdimësi të refuzimit të projekteve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputetja e LDK-së kërkoi që ekzekutivi të publikojë analiza dhe studime që arsyetojnë zgjedhjen e alternativave të tjera energjetike në vend të gazit amerikan, si dhe të ofrojë më shumë transparencë për marrëveshjet në sektorin e energjisë.

“Për motivet duhet të përgjigjet vetë Qeveria. Ne mund të flasim për faktet. Faktet tregojnë një vazhdimësi: fillimisht u kundërshtua ContourGlobal, pastaj u anulua projekti i gazit amerikan i mbështetur nga MCC, sot po refuzohet edhe ndërtimi i infrastrukturës së gazit, ndërsa në të njëjtën kohë thuhet se do të vazhdohet me gazifikimin e linjitit. Nëse kjo është zgjedhja më e mirë për Kosovën, atëherë Qeveria duhet ta dëshmojë me analiza – le të publikojë studimet. Le të tregojë sa kushton infrastruktura për të sjellë gazin LNG në Kosovë, sa kushton gazifikimi i linjitit dhe pse është zgjedhur njëra alternativë e jo tjetra. Po ashtu, është deklaruar se energjia do të merret nga Vlora në bazë të memorandumit të vitit 2022 me Shqipërinë edhe këtu kërkohet transparencë. Me çfarë çmimi do ta marrë Kosova atë energji? Me çmimin e kostos së prodhimit apo me çmimin e bursave ndërkombëtare? Nëse ekziston një marrëveshje që e garanton këtë, ajo duhet të bëhet publike. Kur mungojnë analizat dhe transparenca, është normale që qytetarët të shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë llogari”, ka thënë ajo për RTV21.

Lajme të ngjashme