Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë bëhet lajm në Angli, për të shkruan “Daily Mail”
Rasti i dhunimit të gruas së moshuar në një shtëpi për të moshuar në Pejë është bërë lajm edhe në Angli. Për rastin që e tronditi Kosovën dhe jo vetëm, ka raportuar mediumi i njohur britanik, “Daily Mail”.
“Ky është momenti shokues kur një grua e moshuar në një shtëpi kujdesi në Kosovë u godit në mënyrë të përsëritur me shuplaka nga një infermiere”, fillon artikulli i mediumit britanik.
“Në pamjet e publikuara në rrjete sociale, punëtorja në rezidencën për të moshuar “Orenda” në Pejë ia mban gruas duart dhe e godet atë me shuplaka disa herë”, thuhet më tej në artikull.
“Në video shihen edhe dy gra të tjera dhe një tjetër duke incizuar – e cila dëgjohet duke qeshur me zë përderisa kolegia e saj e sulmon gruan e moshuar”, raporton “Daily Mail”.
“Pas incidentit, infermierja dhe kujdestarja e shtëpisë u arrestuan. Kujdestarja u arrestua për mosraportimin e sulmit në polici”, shkruhet më tej në mediumin e njohur.