Dhjetëra të lënduar pas aksidentit mes autobusit e kamionit në fshatin Vragoli
Policia e Kosovës ka konfirmuar një aksident që ka ndodhur mes një autobusi me targa të huaja dhe një kamioni me targa vendore në rrugën Prishtinë-Pejë, më sakt, në fshatin Vragoli. Si pasojë, dhjetëra persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ku është bërë e ditur po ashtu se janë njoftuar edhe ekipet mjekësore.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se do të njoftojë më vonë me detajet e tjera rreth këtij rasti.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit janë dhjetëra persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore. Më pas do t'u ofrojmë të dhëna të përditësuara lidhur me aksidentin.” – thuhet në njoftimin e policisë.