Deutsche Welle: Para takimit Kurti Vuçiq, mediat serbe po nxisin luftë - NACIONALE

Deutsche Welle: Para takimit Kurti Vuçiq, mediat serbe po nxisin luftë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta gjermane Deutshce Ëelle një ditë para se të takohen Kurti e Vuçiq në Bruksel, i ka kushtuar një artikull, duke paralajmëruar se mediat në Serbi po nxisin luftë.

Para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel mediat serbe vazhdojnë t’i hedhin benzinë zjarrit në konfliktin për dokumentet e udhëtimit mes Kosovës e Serbisë. A mund të shkallëzohet sërish konflikti në rajon?

“Ai po përgatit masakra në Kosovë”, kështu e titulloi gazeta bulevardeske “Informer” një shkrim të sajin, me foto të kryeministrit kosovar albin Kurti, Kurse sipas gazetës “Vecernje novosti” madje janë bërë gati edhe snajperë, që me gjasë do të eliminojnë politikanë drejtues të pakicës serbe në Kosovë. Si këto dy gazeta gati i gjithë shtypi i Beogradit nuhat luftën, pa pasur prova të qarta për këtë. Përjashtim përbëjnë vetëm pak media të pavarura, që nuk varen nga Vuçiqi.

Së fundmi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u shkallëzuan pas vendimit të qeverisë së Kosovës të zbatojë rregullore të reja për udhëtarët me pasaportë serbe dhe automjetet me targa serbe. Sipas saj, serbët kur të hynin në Kosovë do të pajiseshin me dokumente provizore kosovare, dhe automjetet me targa serbe brenda një afati duhej të zëvendësoheshin me ato kosovare. Serbia e praktikon këtë prej vitesh për qytetarët kosovarë. Kryeministri Kurti kishte kohë që këmbëngulte për të ashtuquajturin “reciprocitet”, pra që për të dyja palët të vlejnë rregullore të njëjta.

Konflikti aktual për dokumentet e udhëtimit dhe targat është për qeverinë Kurti një masë që duhej marrë prej kohësh, për shumë serbë një provokim i padurueshëm. Në fillim të gushtit serbët reaguan me barrikada, kur filloi zbatimi i reciprocitetit. Ushtria serbe rriti gatishmërinë, edhe pala kosovare dërgoi njësi të posaçme të policisë, u dëgjuan edhe të shtëna armësh. Një raund i ri i vringëllimit të rmëve, që mund të përsëritet rishtazi. Pas pezullimit të përkohshëm qeveria Kurti kërkon t’i rivendosë masat në fillim të shtatorit.

Të enjten më 18 gusht kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq takohen në Bruksel më ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por pritshmëritë nga ky takim nuk janë të mëdha. Edhe ndërmjetësimi i BE mes dy palëve ka sjellë shumë pak rezultate në vitet e fundit.

Lajme të ngjashme