Dështon vendosja e gurthemelit në Podujevë, reagon komuna: Komercialja pezulloi punimet, nuk na njoftoi
Komuna e Podujevës ka dal me njoftim për dështimin e ceremonisë së vënies së gur themelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini”.
Nga komuna kanë bërë të ditur se arsyeja e shtyrjes së kësaj ceremonie është një vendim i Gjykatës Komerciale, e cila e ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e kontratës lidhur me ndërtimin e këtij objekti.
Sipas tyre, Komercialja nuk i ka njoftuar asnjëherë komunën për vendimin e saj.
“Arsyeja e shtyrjes së kësaj ceremonie është një vendim i Gjykatës Komerciale, e cila e ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e kontratës lidhur me ndërtimin e këtij objekti. Kontrata për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike është nënshkruar më 27 maj. Ndërkohë, edhe pse vendimi i Gjykatës Komerciale është marrë më 30 maj, ky institucion nuk e ka njoftuar asnjëherë Komunën e Podujevës me vendimin e saj. Ky vendim i është dërguar nga operatori ekonomik ankues kabinetit të kryetarit të Komunës, z.Shpejtim Bulliqi mbrëmjen e së premtes, por jo edhe nga Gjykata Komerciale.” – thuhet në reagim.
“Aktiviteti i prokurimit lidhur me ndërtimin e këtij objekti shkollor ka nisur në vitin e kaluar dhe pas shqyrtimit të ankesës së operatorit ekonomik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, ky institucion kishte marrë vendim, nëpërmjet të cilit i ka dhënë të drejtë operatorit ekonomik me të cilin Komuna ka lidhur kontratë.” – thuhet ndër të tjera në reagim.