Dëshmia: Çka tha Rizvanolli kur u pyet nga prokurori pse komunikonte me Mihalin për energji e çështje zyrtare?
Nacionale ka publikuar ekskluzivisht pjesë nga dëshmia e Artane Rizvanollit në Prokurorinë Speciale. Ministrja e Ekonomisë më së shumti u përgjigj me fjali si: “Nuk e di...”, “Mund të ketë qenë”, “Nuk më kujtohet”.
Në një pjesë të dëshmisë, Rizvanolli pyetet edhe për grupin e famshëm të Ëhatsappit, ku bënte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ajo që njihet si “masha” e Vetëvendosjes, Dejona Mihali.
Rizvanolli pyetet për praninë e kryeministrit Albin Kurti në këtë grup të WhatsApp-it si dhe për atë se pse “një person privat me emrin Dejona Mihali” duhej të ishte në atë grup.
Prokurori: Dhe në këtë komunikim në grup ka qenë i përfshirë edhe Kryeministri, zv.Kryeministri dhe zyrtarë tjerë shtetërorë, a është e saktë?
Dëshmitarja: Nuk më kujtohet kush ka qenë saktësisht në grup, por po.
Prokurori: A është e saktë se në këtë grup ka qenë edhe shtetasja Dejona Mihali?
Dëshmitarja: Mund të ketë qenë për një kohë në grup.
Prokurori: A është Dejona Mihali zyrtare e institucioneve shtetërore?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: A është zyrtare e Ministrisë ku ju e ushtroni detyrën?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: Me aq sa keni njohuri a është zyrtare e KEK-ut?
Dëshmitarja: Jo.
Prokurori: Në lidhje me situatat qoftë emergjente apo të rregullta në KEK a jeni konsultuar me Dejona Mihalin?
Dëshmitarja: Me sa më kujtohet në kuadër të grupit në WhatsApp.
Prokurori: Pse keni komunikuar çështje zyrtare me një person privat?
Dëshmitarja: Dejona është koordinatore e komiteteve profesionale në Lëvizjen Vetëvendosje ku përfshihet komiteti për energji dhe në këtë contest ka njohuri për politikat e Lëvizjes Vetëvendosje për sektorin e energjisë.
Prokurori: Besoj që në ministrinë ku ju udhëhiqni keni zyrtarë të fushës përkatëse me ekspertizë, pse keni nevojë të konsultoheni me një person që nuk është pjesë e institucioneve?
Dëshmitarja: Për qartësim jemi duke folur me një grup jo formal ku është diskutuar për çështje të ndryshme të energjisë.
Të gjitha detajet mbi këtë raportim, mund t’i lexoni në tekstin me titull: DOKUMENT: Artane Rizvanolli gënjeu në Prokurori – tha se s’e dinte që kompania zvicerane kundërligjshëm fitoi tender, përgënjeshtrohet nga mesazhet në Whats App