“Derisa Kurti t’ia japë urdhrin Deharit”: PDK-ja paralajmëron se do të jetë në Kuvend çdo 48 orë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se mbyllja e dyerve të Kuvendit po rikthen, sipas tij, pamje të errëta për Republikën e Kosovës.
Behrami shtoi se salla e Kuvendit është vendi i punës së deputetëve dhe duhet të jetë e qasshme sa herë që ata kanë nevojë të jenë të pranishëm apo të ushtrojnë funksionin e tyre.
“Salla e Kuvendit është vendi i punës të deputetëve dhe ajo duhet të jetë e hapur sa herë ne kemi nevojë, qoftë për prezencë, qoftë për punë, qoftë për performancë. Ajo duhet të jetë e hapur”, ka thënë Behrami në Klan Kosova.
Ai bëri të ditur se deputetët e PDK-së do të paraqiten në Kuvend dhe do ta përsërisin këtë veprim çdo 48 orë, deri në dhënien e urdhrit për thirrjen e seancës.
“Ne si PDK do të jemi nesër në Kuvend dhe do të jemi çdo 48 orë në Kuvend derisa Albin Kurti t’i japë urdhrin zotit Dehari”, është shprehur Behrami.
Behrami e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se, sipas tij, ka zëvendësuar institucionet dhe rregullat e Republikës me atë që ai e cilësoi si “skriptën e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka folur për seancën e 8 gushtit dhe mënyrën se si ishte thirrur ajo.
Hoxha tha se deputetët e PDK-së morën pjesë në atë seancë për të parë se deri ku do të shkonte procesi, ndërsa më pas, sipas saj, nuk u propozua emri për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.
“E kanë thirrë më 8 gusht seancën edhe besoj është shumë e thjeshtë me e zbërthy skenarin që ne, nëse s’kishim shkuar atë ditë, e kish propozuar një emër edhe kish thënë nuk është opozita këtu me propozuar nënkryetarët për me konstituar Kuvendin”, ka deklaruar Hoxha.