Deputetja e LDK-së paralajmëron: Projektligji për Buxhetin mund të dërgohet në Kushtetuese - NACIONALE

Deputetja e LDK-së paralajmëron: Projektligji për Buxhetin mund të dërgohet në Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se Projektligji për Buxhetin e vitit 2023, mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo nëse qeveria nuk tërhiqet nga ideja që t’ua marrë komunat mjeteve e pashpenzuara.

“Në fakt ky është një nen shumë problematik. Te pjesa tekstuale te neni 9, për herë të parë në histori Ministria e Financave ka futur një fjali të tillë tek paragrafi i gjashtë, ku thotë se të gjitha fondet të cilat janë mbledhë para vitit fiskal 2022 dhe janë të pashpenzuara, do të trajtohen si suficit. Kjo është anti-kushtetuese sepse janë ligje të tjera të cilat këto mjete komunave ua lejon që t’i bartin vit pas viti. Në anën tjetër kjo është tepër kontradiktore sepse Kuvendet Komunale i kanë aprovuar buxhetet me investime kapitale me të cilat i kanë llogarit që t’i kenë këto të hyra të bartura, dhe në fakt një draft-buxhet i tillë është votuar në Qeveri dhe është votuar në parim. Ky nen është kontradiktor me komplet tabelat dhe investimet kapitale të komunave”, ka thënë Bajrami teksa është shprehur se do ta dërgojnë në gjykatë Kushtetuese nëse ky nen nuk largohet deri në lexim të dytë”, ka thënë Bajrami për Ekonomia Online.

Bajrami ka kritikuar Qeverinë edhe për lënien e 677 milionë euro të pashpenzuara.

“Buxheti historikisht ka qenë i madh në secilin vit vijues në krahasim me të gjitha vitet paraprake. Edhe në kohën e pandemisë në mbyllje totale në vitin 2020, kur kishin rënie ekonomike për 5 për qind, ne e kemi pas buxhetin më të lartë historikisht. Nëse e shikojmë që kemi një buxhet rreth 2.9 miliardë i aprovuar për vitin 2022, dhe e kemi buxhetin 3. 2 miliardë për vitin 2023. Nëse e marrim parasysh normën e inflacionit, kjo nuk e ka kompensuar as edhe normën e inflacionit. Në terma nominal ka ngritje të buxhetit pothuajse në shumicën e organizatave buxhetore, por kjo nuk e kompenson normën e inflacionit. Në raportin nëntë mujor që e ka dorëzuar Ministria e Financave për informim të deputetëve, aty figurojnë që në bilancin bankar me 30 shtator kanë qenë 677 milionë euro të pashpenzuara”, u shpreh Bajrami.

Lajme të ngjashme