Deputeti i VV-së, Ramës: Mos e përdorni Prishtinën për beteja politike
Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me protestën e paralajmëruar për 1 shtator.
Ai ka pretenduar se Rama po e përdor Prishtinën për beteja politike.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kryeqyteti ka nevojë për punë, jo për arsyetime.
“Përparimi e ka ftuar protestën për nesër, më 1 shtator. Pikërisht nesër, me fillimin e procesit mësimor, si zakonisht do të rëndohet edhe më shumë komunikacioni në kryeqytet. Tash, bllokimin e komunikacionit po tenton ta arsyetojë me gjoja protestën që do të mbahet. Përparim, qytetarët e kryeqytetit nuk e meritojnë këtë që po e përjetojnë përditë nga qeverisja juaj”, ka shkruar ai, duke e vazhduar kritiken ndaj të parit të kryeqytetit.
“Prishtina nuk ju ka votuar që të shtyni agjenda kundër qeverisë nacionale. Ju ka votuar për të qeverisur me Prishtinën, për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për ta bërë kryeqytetin më funksional. Mos e përdorni Prishtinën për beteja politike. Kryeqyteti ka nevojë për punë, jo për arsyetime”, ka shkruar ai.