Deputetët mbarojnë pushimet, sezoni vjeshtor nis të hënën
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen punës javën e ardhshme. Pas pushimit mbi një muaj, do të fillojnë sesionin vjeshtor të legjislativit më 12 shtator. Të njëjtit pritet të kenë një agjendë të ngjeshur gjatë këtij viti kalendarik.
Prioritet për kuvendarët pritet të jenë një sërë projektligjesh, duke filluar nga miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, projektligji për paga dhe zyrtarët publik, paga minimale, byroja për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vettingu në drejtësi.
Ndërkohë, monitoruesit e punës së Kuvendit kërkojnë kontroll më të madh parlamentar ndaj Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha për KosovaPress, se mazhoranca është e vendosur për të çuar një sërë çështjesh përpara në sesionin vjeshtor të Kuvendit.
“Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është një nga ngjarjet më të rëndësishme që vjen pjesën e fundit të vitit. Ndërkohë edhe dy projektligjet që i përmendet, që aktualisht janë në konsultim publik, siç është ai për pagat e zyrtarëve publik dhe projektligji për zyrtarët publik janë dy politika shumë të rëndësishme të reformës së përgjithshme në administratë publike, por edhe nivelizimit të pagave në sistemin tonë publik. Shumë prej projektligjeve, përveç të atyre që kanë rezultuar drejtpërdrejt nga programi ynë qeverisës, ka shumë prej tyre që kanë qenë në pritje për vite të tëra në Kuvendin e Kosovës, madje me shumë se tre legjislatura që janë rrëzuar në faza të caktuara. Por në këtë legjislaturë po kalojnë për shkak të stabilitetit dhe efikasitetit. Përfshirë edhe rregulloren e Kuvendit që pas 11 viteve u miratua”, tha ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pushim që nga 4 gushti, kur edhe ishte seanca e fundit plenare.