Dënohet për krime lufte në Darfur të Sudanit ish-lideri militant, Ali Abd-Al-Rahman
Një udhëheqës militant është shpallur fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në rajonin Darfur të Sudanit para më shumë se 20 vjetëve.
Ali Muhammad Ali Abd-Al-Rahman, i njohur edhe si Ali Kushayb, ishte njëri nga udhëheqësit e grupit Janjaweed, i mbështetur nga Qeveria dhe që e kishte terrorizuar Darfurin, duke vrarë qindra mijëra njerëz, raporton televizioni BBC.
Kushayb është personi i parë që gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) për mizoritë në Darfur. Ai ka argumentuar se është fjala për një rast të identitetit të gabuar.
Konflikti kishte zgjatur nga viti 2003 deri më 2020 dhe ishte njëra nga katastrofat më të rënda humanitare, me dyshime për spastrim etnik dhe gjenocid kundër popullsisë jo-arabe të rajonit.
Gjatë gjykimit ndaj Kushayb-it, të mbijetuarit kanë treguar se si fshatrat e tyre ishin djegur, burra e djem ishin masakruar, ndërsa gratë detyroheshin për t’u bërë pjesë e skllavërisë seksuale.
Ish-udhëheqësi militant u shpall fajtor në 27 pika të aktakuzës, të përqendruara rreth sulmeve të kryera në vitet 2003 dhe 2004.
Gjykatësit e GjND-së vlerësuan se sulmet brutale të grupit Janjaweed – përfshirë ekzekutimet massive, dhunën seksuale dhe torturën – ishin shkaktuar shpesh nga Kushayb-i dhe militantët e tij.