Delegacioni i shqiptarëve të Amerikës diskuton me Kurtin projektin e gazit të lëngshëm amerikan për Kosovën
Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA) ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku u diskutua edhe mundësia e realizimit të projekteve strategjike energjetike, përfshirë furnizimin e Kosovës me gaz të lëngshëm natyror, LNG.
Përfaqësuesit e AFA-së, Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, e paraqitën projektin e LNG-së si mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, forcimin e sigurisë energjetike dhe tërheqjen e investimeve të reja në Kosovë.
Në takim u diskutua edhe për rifillimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA, i cili, sipas AFA-së, do të mund ta thellonte bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat e energjisë, sigurisë, ekonomisë dhe zhvillimit institucional.
Delegacioni theksoi gjithashtu rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe avancimin e objektivave euroatlantike të vendit.