Deda për koalicionet lokale: Partitë të dalin e të na informojnë se po i ‘rrëzojnë’ muret e vendosura vetë
Analisti politik, Ilir Deda, ka komentuar vendimin për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Vushtrrisë, duke e cilësuar atë si një hap të papritur dhe në kundërshtim me deklaratat e mëhershme të LDK-së.
Sipas tij, ndonëse bashkëpunimi ndërmjet partive politike është i pranueshëm në parim, në këtë rast ai bie ndesh me qëndrimet e deklaruara publikisht kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen.
“Partitë politike kanë të drejtë të bashkëpunojnë njëra me tjetrën, parimisht. Por, partitë politike, nuk kanë të drejtë sidomos në Kosovë pas mësimeve të dekadës së kaluar, që të japin deklarata të forta të stilit, veprimi më i madh kombëtar është që LDK-ja nuk ka bërë koalicion me VV-në, pse e jep atë deklaratë së pari e në fund me ardh me relativizu. Edhe tash për shkak të interesave partiake që thotë nuk ka gajle se janë komunale te të gjitha partitë, mundohen tash me i heq këto barrikadat të cilat i kanë vendos vet, nuk ua kanë vendos muret kineze, por vetë i kanë vendos, e nëse duan t’i heqin le të dalin të na informojnë,” tha Deda.
Ai shtoi se ky lloj bashkëpunimi nuk duhet të bëhet në mënyrë të fshehtë apo të arsyetohet me faktin se është në nivel lokal.
“Jo kështu të fshehur pas nivelit lokal, sepse nuk është korrekt me një popull i cili që katër ose pesë vjet ndjen përplasje nga më të rëndat ndërmjet liderëve të partive politike. E tash para balotazhit nuk është problem. Xhafer Tahiri është anëtar kryesie dhe është shumë gjatë në LDK. Çka bëri LDK-ja, a e anuloi vendimin, jo. Kjo është pluhur syve opinionit, është dashur në mënyrë eksplicite me u shpreh, edhe reagimet e votuesve të LDK-së të cilët i kanë besuar fjalës së dhënë, e LDK-së së re, e rrugëtimit të ri, nuk e kanë mirëpritur këtë punë,” deklaroi Deda në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.