Deda: Partitë e ish-opozitës s’janë inatçore, por s’duan diktat nga Albin Kurti
Opinionisti Ilir Deda ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse Kosovës i nevojiten parti të reja politike, por ka theksuar rëndësinë e reformave të brendshme që, sipas tij, i kanë ndërmarrë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas Dedës, drejtuesit aktualë të partive të ish-opozitës, nuk kanë lejuar diktatin politik të deputetit Albin Kurti. Ai vlerësoi se këto parti po tregojnë gatishmëri për bashkëpunim, por refuzojnë çdo përpjekje për imponim.
“I jap vlerësimin e reformës që e kanë marrë njerëzit e brezit tim politik te PDK dhe LDK. Për bllokadën në Kuvend është një përgjegjës, dhe ai është Albin Kurti. Partitë e ish-opozitës i kuptoj, sepse ata nuk duan diktat. Nuk duan të jenë nën diktat të Kurtit, dhe në rregull është. Ata nuk janë as inatçorë. Ata thonë, ‘nëse dëshiron, ulemi dhe merremi vesh, por nuk do të na imponosh asgjë’”, tha Deda ndër të tjera në "Rubikon".