Daut Haradinaj e përkrah peticionin që i kërkon Kuvendit rezolutë për padrejtësitë e Gjykatës Speciale - NACIONALE

Daut Haradinaj e përkrah peticionin që i kërkon Kuvendit rezolutë për padrejtësitë e Gjykatës Speciale

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, e ka përshëndetur peticionin e 336 akademikëve dhe intelektualëve të Kosovës, i cili i kërkon Kuvendit të Kosovës nxjerrjen e një rezolute për Gjykatën Speciale.

Ai ka bërë me dije se kjo rezolutë duhet të kërkoj llogaridhënie nga Specialja.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se kjo gjykatë duhet t’u përgjigjet institucioneve të Kosovës.

“Është mëse i qëlluar peticioni i 336 akademikëve dhe intelektualëve, ndër figurat më të spikatura të ligjit dhe drejtësisë në vend, drejtuar Kuvendit të Kosovës. Ajo që kërkohet përmes këtij peticioni është një hap i domosdoshëm dhe fatkeqësisht edhe i vonuar nga ana e Kuvendit. Bëhet fjalë për votimin e një rezolute apo krijimin e një mekanizmi llogaridhënës mbi të drejtat dhe liritë themelore, të cilat po shkelen qartazi nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gabimet, mohimi i të drejtave dhe shkelja e integritetit njerëzor ndaj njerëzve tanë që po mbahen thuajse peng atje, janë të njëpasnjëshme”, ka shkruar Haradinaj, duke dhënë detaje tjera.

“Kjo gjykatë, e krijuar nga Republika e Kosovës, duhet t’u përgjigjet institucioneve të saj dhe të operojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, gjë që nuk po ndodh. Prandaj, e mbështes fuqishëm këtë nismë dhe do të jem aty për ta votuar pro dhe për t’i shprehur bindjet e mia kundër kësaj padrejtësie. Po ashtu, kërkoj që ky peticion të shqyrtohet me urgjencë”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme