Dalja e bizneseve në tregun e lirë, PDK e dorëzon në ZRrE kundërshtimin e vendimit
Partia Demokratike e Kosovës sot e ka dorëzuar zyrtarisht në ZRrE kundërshtimin ndaj vendimit të këtij institucioni për daljen e bizneseve në tregun e lirë.
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ky vendim paligjshëm dhe i pa papërballueshëm për bizneset.
Ai ka bërë me dije se PDK-ja do të pres përgjigjen e ZRrE-së për këtë çështje dhe më pas do t`i dorëzohet gjykatës.
“ZRRE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut. Ky vendim është marrë në mungesë të një analize të konkurrencës, si dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Siç ka vërejtur qartë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ky vendim cenon interesat legjitime të një komuniteti të gjerë ekonomik, duke krijuar kushte për një krizë të re sociale në vendin tonë”, ka deklaruar Tahiri.
PDK i ka bërë thirrje ZRRE-së ta pezullojë menjëherë zbatimin e këtij vendimi.
Në të kundërtën, ka thënë Tahiri, pas 15 ditësh PDK do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit të tij.
“Situata bëhet edhe më alarmante për shkak të pozitës dominuese të KESCO-s në treg, ndërkohë që shumica e operatorëve të tjerë të licencuar nuk janë prodhues, por vetëm tregtarë të energjisë, që ofrojnë çmime deri në 280% më të larta. Kjo provon qartë se kushtet për një treg të hapur, të drejtë dhe konkurrues nuk ekzistojnë. Prandaj, PDK i bën thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e këtij njoftimi, se ky as vendim nuk është. E kanë lëshuar si njoftim për t’i ikur ballafaqimit ligjor”, është shprehur Tahiri.