Daka: Qeverinë mund ta formojë çdo parti që siguron se i ka 61 vota
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka sqaruar rregullat kushtetuese për formimin e qeverisë së re në Kosovë, duke theksuar se mandati për krijimin e ekzekutivit i takon çdo subjekti politik që arrin të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare — 61 vota.
Sipas Dakës, momenti vendimtar është kur Presidentja bindet se ekziston një shumicë e tillë.
“Kushdo që i ka 61 vota, cilado qoftë parti, që e siguron presidenten që i ka 61 vota, e tregon emrin e mandatarin dhe merr të drejtën për të formuar qeverinë”, ka thënë ajo.
Daka ka theksuar se menjëherë pas datës 5 nëntor, në rast se ndonjë kandidat pretendon se ka mbështetjen e nevojshme, Kuvendi duhet të mblidhet për votimin e qeverisë.
“Menjëherë pas datës 5 duhet të caktohet seanca e Kuvendit, nëse ka dikush që e vlerëson se i ka 61 vota dhe mund të formojë qeverinë, dhe në atë seancë të votohet qeveria”, ka deklaruar ajo.
E pyetur për mundësinë që Albin Kurti të tentojë përsëri krijimin e qeverisë, Daka u shpreh se kjo nuk mund të bëhet me të njëjtin emër si më parë.
“Me të njëjtin emër jo, mund të sjellë një emër tjetër, por duhet të japë prova të sigurta që ka 61 vota dhe të tregojë cilët janë ata emra që do të sigurojnë votat në ditën e votimit”, ka theksuar ajo në Dukagjin.