Clinton: Netanyahu duhet të largohet, s’është udhëheqës i besueshëm
Ish-sekretarja e Shtetit e ShBA-së, Hillary Clinton, të mërkurën bëri thirrje për largimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nga pushteti, duke e cilësuar udhëheqës jo të besueshëm.
“Netanyahu duhet të shkojë. Ai nuk është udhëheqës i besueshëm. Sulmi [i 7 tetorit] ndodhi para syve të tij. Ai duhet të shkojë, dhe nëse ai është pengesë për armëpushim, nëse është pengesë për eksplorimin e asaj që do të bëhet ditën pas [luftës], ai absolutisht duhet të shkojë” – tha zonja Clinton në një intervistë në MSNBC, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në të njëjtën kohë, ishte e paqartë nëse ish-zyrtarja e lartë beson se Izraeli duhet të ndalë fushatën ushtarake në Gaza në rrethanat e tanishme, edhe pse në të kaluarën kishte shprehur përkrahje të fuqishme për luftën.
“Ne dëshirojmë që të ketë një armëpushim. Nëse Hamasi do të pajtohej për një armëpushim, do të kishte një armëpushim” – tha ajo.
Kur u pyet për marrëdhëniet e presidentit amerikan, Joe Biden, me kryeministrin Netanyahu, ish-kandidatja për presidente të ShBA-së tha: “Nuk mendoj se Bideni ka bërë gjithçka që ka mundur të bënte për t’iu... përgjigjur shqetësimeve legjitime të popullit izraelit pas 7 tetorit, që të bashkohet me Izraelin përballë një sulmi terrorist nga një organizatë terroriste.”
Megjithatë, ajo shtoi: “Por mendoj se është gjithashtu e qartë se Bideni është duke bërë gjithçka që mundet për të ndikuar te Netanyahu.”
Clintoni e mbrojti sjelljen e Izraelit, duke theksuar se ishte Hamasi ai që e nisi luftën dhe se Izraeli e ka të drejtën për ta mbrojtur veten brenda ligjeve të luftës.