Clark: Kosova gjithmonë më impresionon
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneral Wesley Clark, ka thënë se impresionohet sa herë që e viziton Kosovën.
Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet për herë të parë në Prishtinë, ai ka thënë së fundi se është kthyer me zemër plot nga Kosova.
“Kam pasur nderin tim dhe kam qenë pjesë e të gjitha përpjekjeve në këtë drejtim, jam shumë mirënjohës për këtë mikpritje që i keni dhënë ShBA-së dhe mua personalisht dhe mund të them që sa herë që vij në Kosovë, gjithmonë impresionohem dhe e shoh partneritetet që e krijoni në demokraci dhe zhvillim ekonomik. Tash, së voni, kam qenë atje dhe jam kthyer me zemër të plotë, me kurajo të zhvilluar dhe zemra ime qëndron krenare me gjithë ato që keni arritur për njëri-tjetrin, por edhe për demokracinë në gjithë Evropën dhe botën”, ka deklaruar Clark.
Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet për herë të parë në Prishtinë, ai ka thënë se kur gratë marrin pjesë në procese të ndërtimit të paqes, paqja është më e barabartë.
“Këtë verë, me udhëheqjen e presidentes Osmani janë shfaqur përkushtimi, vendosshmëria ndaj Agjendës për Gratë, Sigurinë dhe Paqen. Ne e dimë të gjithë krizën dhe nevojën për të gjetur zgjidhje dhe kjo nënkupton se duhet të jemi të vendosur, kur kërkohen politika të tilla. Unë e kam parë drejtpërdrejt se kur gratë marrin pjesë në procese të ndërtimit të paqes, paqja është më e barabartë, më e drejtë dhe më e qëndrueshme. Çfarë ka më të mirë nga kjo konferencë sesa ndërtimi i aleancave për të mbështetur paqen? Pra të gjithë, së bashku, duhet t’i tejkalojmë këto sfida të rënda”, ka deklaruar ai. /Klankosova/