Çitaku për deklaratën e Hoxhajt rreth koalicionit me VV-në: Ka qenë pak befasi
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka komentuar deklaratat e bashkëpartiakut të saj, Enver Hoxhaj se do të mbështese një koalicion me Vetëvendosjen.
Çitaku në Rubikon ka deklaruar se në PDK ka mendime të ndryshme dhe vendimet e rëndësishme, merren duke pasur debat.
Megjithatë, ajo tha se u befasua nga ky vendim për shkak se erdhi pak kohë pas mbajtjes së konventës ku u miratua edhe një deklaratë.
“PDK një nga vlerat e shtuara, gjithmonë ka qenë diversiteti, shumësia e mendimeve, për mendime të mëdha dhe çështje të kolaicioneve, vendimet nuk janë marrë pa debat dhe mendim ndryshe, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë mendim shumë ndryshe.
Më vjen mirë që kemi një klimë politike ku secili prej nesh mund të thotë mendimet e veta hapur pa asnjë lloj dileme.
Ka qenë pak befasi për mua të jem e sinqertë, është e vërtetë që shpeshherë edhe në mbledhje edhe në diskutime kemi vlerësime dhe mendime të ndryshme, mirëpo deklarata e z.Hoxhaj erdhi pak kohë pas mbajtjes së konventës ku e miratuam një deklaratë politike e cila ishte shumë e qartë edhe në raport me Qeverinë edhe në raport me koalicionet e mundshme dhe ajo u votu me unanimitet të plotë” – ka thënë ajo.