Çitaku: Çdo përpjekje për të delegjitimuar Gjykatën Kushtetuese është thirrje për anarki
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu, lidhur me komentet e saj në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Radomir Laban.
Çitaku theksoi se Haxhiu ka reaguar vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit, ndërkohë që gjatë kohës kur ajo kishte pushtet, nuk ka bërë asnjë reagim.
Ajo shtoi se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë ata që janë votuar nga LDK-ja, e kanë konfirmuar shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi i seancës.
“Me unanimitet, të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë dy që ju i keni votuar, kanë konstatuar se kryesuesi i seancës ka shkelur Kushtetutën. Çdo përpjekje për të delegjitimuar Gjykatën Kushtetuese është thirrje për anarki. Ku ishit ju më parë? Kishit pushtet absolut. Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete”, shkruan Çitaku në Facebook.