Çështja e nënkryetarit të Kuvendit, Rashiq: Kushtetuesja është afër të vendos, do ta respektojë vendimin
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese është afër të marrë një vendim për lëndën e dërguar nga Lista Serbe, e cila ka të bëjë me çështje e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai ka treguar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Rashiq ka thënë se nëse Kushtetuesja i jep këtë të drejtë, ai do të synojë postin e nënkryetarit të Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese është afër fundit të një vendimi sa i përket ankesës që e ka paraqitur Lista Serbe. Unë po e pres atë vendim që të sqarohet saktë nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive që në mënyrë monopoliste të ketë kandidatin e saj, apo nëse mund të ketë edhe një kandidat tjetër, si në rastin tim. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë ekskluzive që vetëm Lista Serbe të propozojë, atëherë të gjithë ne do ta respektojmë këtë. Nëse mbetet ashtu siç është, unë jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit, sepse Lista Serbe nuk ka pasur përfaqësim adekuat të serbëve.”, është shprehur Rashiq për RTV 21.