Cenimi i autonomisë lokale, komunat e çojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për shërbimin civil
Asociacioni i Komunave të Kosovës e dërguar në Gjykatën Kushtetuese Rregulloren e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.
Kjo pasi asociacioni ka vlerësuar se kjo rregullore cenon autonominë lokale dhe përbën ndërhyrje direkte në kompetencat kushtetuese të pushtetit lokal.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka vlerësuar se komunat janë më të drejtën e tyre.
“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Komunat ushtrojnë kompetencat e tyre vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara përmes organeve përfaqësuese dhe në përputhje me parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit. Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, ka deklaruar ai, raporton EO.
Sipas Ibrahimit, rregullorja në fjalë centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe redukton autonominë funksionale të komunave.
“Në këtë frymë, Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal. Një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale”, është shprehur ai.