Burgim të përjetshëm gjermanit, e vrau arkëtarin e pompës që ia kërkoi vendosjen e maskës - NACIONALE

Burgim të përjetshëm gjermanit, e vrau arkëtarin e pompës që ia kërkoi vendosjen e maskës

2 javë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë gjermane të martën dënoi me burgim të përjetshëm një burrë 50-vjeçar për vrasjen e një punëtori të një pompe benzine, i cili vitin e kaluar kishte këmbëngulur që klienti t’i respektonte rregullat dhe ta vendoste maskën kundër koronavirusit, raportuan mediet gjermane.

Vrasja në qytezën perëndimore, Idar-Oberstein, për shkak të masave kufizuese në pandemi i kishte tmerruar gjermanët, kur personat që e mohonin koronavirusin, filluan që të bëheshin të dhunshëm.

I akuzuari, i identifikuar si Mario N., u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai e ka pranuar vrasjen e punëtorit 20-vjeçar. Një ekspert ka gjetur sasi alkooli në gjakun e të akuzuarit.

Prokurorët thanë se arkëtari i kishte kërkuar të akuzuarit që t’i respektonte rregullat dhe ta vendoste maskën gjatë pagimit të birrës.

Pasi fillimisht kishte refuzuar që ta vendoste maskën dhe pas largimit nga pompa, i akuzuari ishte kthyer me maskë në fytyrë, por e kishte hequr atë, kur i ishte afruar arkëtarit dhe pas një komunikimi të shkurtër, e kishte qëlluar me plumb në kokë.

Viktima kishte vdekur menjëherë dhe Mario N. më vonë ishte dorëzuar vetë në një stacion policor, duke thënë se masat kundër pandemisë po i shkaktonin stres.

Lajme të ngjashme