Britania u miraton rreth 40 studentëve të Gazës bursa në universitetet e saj
Qeveria britanike është pajtuar që të lejojë rreth 40 studentë nga Gaza që të shkojnë në Britani në javët në vijim dhe të shfrytëzojnë bursa universitare.
Nëntë prej studentëve u është thënë se do t’u ofrohet asistencë për t’u larguar nga Gaza në mënyrë që t’i shfrytëzojnë bursat sipas skemës “Chevening”, nismë e financuar kryesisht nga shteti britanik për studentë të huaj në studime njëvjeçare master, raporton televizioni BBC.
Transmetuesi publik britanik ka marrë vesh, gjithashtu, se sekretari i Brendshëm i ka miratuar planet për bursa të plota për rreth 30 studentë të tjerë, të cilët do të financohen përmes skemave private.
Këta studentë do të ishin të parët që do të largoheshin nga Gaza për të studiuar në Britani që nga fillimi i luftës mes Izraelit e Hamasit në vjeshtën e vitit 2023. Megjithatë, Izraeli duhet të pajtohet për largimin e secilit prej studentëve nga Gaza.
Marrëdhëniet e Britanisë me Izraelit janë përkeqësuar pas njoftimit të Londrës se do të njohë një shtet palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk plotëson disa kushte që lidhen me luftën në Gaza.
Pritet të ketë edhe sfida të konsiderueshme logjistike gjatë evakuimit të studentëve nga zona e luftimeve. Ata do të dërgohen në një vend të tretë në rajon për kontrollim të vizave biometrike para se të shkojnë në Britani.
Një burim brenda Zyrës së Brendshme të Britanisë e përshkroi planin si “kompleks dhe sfidues”, por shtoi se sekretarja e Brendshme ka bërë “të qartë kristal” se dëshiron që studentët nga Gaza t’i zënë vendet e tyre në Britani.
Vendimi vjen pas disa muajve fushatë nga politikanë, akademikë e figura të tjera në emër të 80 studentëve të Gazës të cilëve këtë vit u janë bërë oferta nga universitetet britanike./Nacionale