Britania i kundërpërgjigjet Iranit: Jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin 24/7
Britania ka thënë se forcat e saj të armatosura janë të gatshme që ta mbrojnë vendin nga cilido sulm, pasi Roja Revolucionare e Iranit lëshoi një paralajmërim kundër lejimit të fluturimeve të bombarduesve amerikanë nga bazat britanike.
“Forcat tona të Armatosura janë të gatshme që ta mbajnë të sigurt Mbretërinë e Bashkuar nga cilido lloj i sulmeve, qofshin ato në tokën tonë apo nga jashtë. Mbretëria e Bashkuar qëndron e gatshme 24 orë në ditë, 7 ditë në javë që ta mbrojë veten” – tha një zëdhënës qeveritar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Këtu përfshihet [mbrojtja] përmes zbatimit të një qasjeje shtresore ndaj mbrojtjes ajrore dhe raketore, e ofruar nga asetet e Marinës Mbretërore, Ushtrisë Britanike dhe Forcës Ajrore Mbretërore, të pajisura me një varg kapacitetesh të avancuara, duke punuar ngushtë me aleatët tanë të NATO-s” – shtoi zëdhënësi.
Ditë më parë, Irani e paralajmëroi edhe Bullgarinë që të mos e lejojë shfrytëzimin e një baze ajrore nga forcat amerikane për operacione në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, deputetët bullgarë e miratuan propozimin qeveritar që lejon një gjë të tillë, pas kërkesës nga Ambasada e ShBA-së në Sofje.