Britania e Madhe vendos sanksione ndaj një grupi kriminal nga Kosova - NACIONALE

Britania e Madhe vendos sanksione ndaj një grupi kriminal nga Kosova

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj disa individëve dhe rrjeteve kriminale që veprojnë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë një grup të organizuar nga Kosova, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë ndaj kontrabandës me njerëz.

Në njoftimin e publikuar nga Foreign, Commonwealth & Development Office (FCDO) thuhet se:

“Udhëheqësit e bandave, falsifikuesit e pasaportave dhe financierët e paligjshëm që mundësojnë kontrabandën e njerëzve përmes Ballkanit Perëndimor janë sanksionuar sot nga Mbretëria e Bashkuar.”

Sipas komunikatës, grupi i bazuar në Kosovë është përgjegjës për prodhimin e dokumenteve të rreme dhe furnizimin e tyre për rrjete kriminale ndërkombëtare.

“Ky grup i organizuar kriminal nga Kosova ka krijuar pasaporta, karta identiteti dhe patenta të rreme për mbi 50 vende, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur një laborator të sofistikuar falsifikimi,” thuhet në njoftimin e FCDO-së.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive, ndalimin e udhëtimit në territorin britanik dhe ndalimin e çdo bashkëpunimi financiar me entitete apo individë të përfshirë në këtë rrjet.

Në të njëjtën komunikatë, Ministria e Jashtme britanike thekson se masat janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar kontrabandën me njerëz dhe aktivitetet kriminale që rrjedhin nga Ballkani Perëndimor.

“Në fillim të këtij muaji, Sekretarja e Jashtme njoftoi një investim prej 10 milionë paundësh për të luftuar kontrabandën me njerëz në rajon. Kjo përfshin trajnime të avancuara për zbatimin e ligjit në Kosovë, forcimin e masave të sigurisë kufitare dhe zgjerimin e mbështetjes për viktimat e mundshme të trafikimit në Serbi,” thuhet në njoftim.

Qeveria britanike ka paralajmëruar se do të vazhdojë me masa të tjera ndaj çdo grupi që ndihmon apo përfiton nga kontrabanda me njerëz dhe aktivitetet e paligjshme financiare në rajon.

“Mbretëria e Bashkuar nuk do të lejojë që rrjete kriminale të përdorin Ballkanin si korridor për veprimtari të paligjshme që kërcënojnë sigurinë e përbashkët evropiane,” përfundon komunikata.

Lajme të ngjashme