Bratislav Kërstiq: Udhëheqësit e strukturave ilegale në veri janë në kabinetin e Kurtit
Analisti serb në veri Bratislav Kërstiq është ankuar se institucionet e Kosovës nuk po ofrojnë siguri për qytetarët serbë që po i konvertojnë makinat e tyre në tabelat “RKS”.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës duhet t`i ndalë autorët e djegieve të veturave.
“A ka shteti i Kosovës atë forcë? A është gati me i ndalë autorët? Kush janë udhëheqësit? Udhëheqësit janë në kabinet të Kurtit, janë në Parlament të Kosovës. Futuni në lëkurën e një qytetari të zakonshëm. Ai që e di se është djegur vetura e një pjesëtari të Policisë së Kosovës. Njerëzit janë shumë të shqetësuar. Nëse shteti i Kosovës ka mundësi të ndalë autorët e djegieve të veturave, atëherë ekziston vullnet nga qytetarët për riregjistrim”, ka thënë Kërstiq në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Analisti ka akuzuar Listën Serbe se qëndron prapa djegieve të veturave.
Sipas tij, ata që po nxisin këto veprime ndaj serbëve të veriut janë pjesë e Qeverisë së Kosovës.
“Mesazhet vijnë prej kabinetit të kryetarit të Serbisë e Lista Serbe i udhëheqë autorët që punojnë në terren. Edhe Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme me kuptu gjendjen e një qytetari të zakonshëm në veri, në çfarë gjendje është ai. Ai paguhet nga buxheti i Serbisë. Nëse riregjistron veturën, atëherë humb vendin e punës dhe rrezikon t’i digjet vetura. Udhëheqësit e atyre strukturave ilegale për të cilat po flet Prishtina janë në kabinetin e Kurtit. Njerëzit janë të shqetësuar, kanë frikë për punën e tyre, për punën e fëmijëve. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri janë viktima të dy palëve, të Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur Kërstiq.