Bosch: Kërkesa për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së është absurde - NACIONALE

Bosch: Kërkesa për 45 vjet burg për krerët e UÇK-së është absurde

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka quajtur absurde kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënim me nga 45 vite burgim për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në një intervistë për KosovaPress nga Haga, Bosch tha se nuk ka prova që argumentojnë pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

“45 vite dënim me burg bazuar në çfarë? Dua të them, më vjen shumë keq. Nuk mund ta kuptoj fare sepse ky proces po zgjat prej mjaft kohësh dhe ka pasur shumë dëshmitarë që e kanë minuar atë që thoshte prokuroria. Nuk ishte organizatë kriminale sepse unë vetë kam qenë i përfshirë personalisht në vitin 1999 me qeverinë holandeze dhe NATO-n. Ne po përdornim UÇK-në si trupa të NATO-s në terren. Sigurisht, nuk ishte organizatë kriminale, përndryshe nuk do të bashkëpunonim me ta”, deklaroi ai.

Bosch e cilësoi kërkesën si dënim të përjetshëm.

“Kjo është absurde sepse është e barabartë me dënim të përjetshëm. Nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot, do të vdesin në burg”, tha ai.

Ai mbështeti protestat paqësore në Prishtinë me moton “Drejtësi, Jo Politikë”.

“Protestat janë perfekte për sa kohë nuk janë të dhunshme. Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është fyerje për vendin tuaj”, u shpreh Bosch.

Lajme të ngjashme