Boletini: Stafi editorial kishte gënjyer, Nacionale dhe Periskopi ishin përmendur në raportimin e RTK-së
Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetari të Bordit të RTK-së, krejt kjo pas skandalit në lidhje me shkrimin nga Slobodna Bosna, i cili ishte publikuar në RTK pa u verifikuar, dhe në mesin e tyre përmendej Gazeta Nacionale dhe Presikopi “si dy media që paguhen nga Serbia”.
Pas kësaj, nga RTK kishin deklaruar se emrat e dy mediumeve nuk ishin përmendur, mirëpo një gjë të tillë e ka kundërshtuar sot Boletini.
Ai në reagimin e tij ka thënë se stafi editorial kishte insistuar se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, por pas raportit doli se stafi editorial kishte gënjyer dhe emrat ishin përdorur.
“Megjithatë u dakorduam për një komision profesional që ta zbardhë rastin. Gjatë asaj dite veçse kisha kërkuar ekspertizë të IT-së për rastin. Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot.” – ka shkruar ndër të tjera Boletini.