Bislimi takon deputetin gjerman Adis Ahmetović: U diskutua për integrimet europiane
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar në Berlin takimin e fundit të vizitës së tij zyrtare me deputetin e Bundestagut gjerman, Adis Ahmetović.
Në qendër të bisedës ishin proceset e integrimit evropian dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilat Bislimi theksoi domosdoshmërinë e avancimit të mëtejmë dhe përshpejtimit të hapave institucionalë.
Zëvendëskryeministri e prezantoi Kosovën si një “histori suksesi”, duke nënvizuar strukturën e re demografike, si dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të shpejtë që vendi ka shënuar vitet e fundit. Ai theksoi se këto zhvillime e bëjnë Kosovën një partner të besueshëm dhe të rëndësishëm për Bashkimin Evropian, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Bislimi u shpreh gjithashtu mirënjohës ndaj deputetit Ahmetović për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për angazhimin që ai ka treguar në proceset kyçe për vendin.