Bislimi në tryezën për Presidencën Çeke të BE-së: Kosova ka pritje të mëdha - NACIONALE

Bislimi në tryezën për Presidencën Çeke të BE-së: Kosova ka pritje të mëdha

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Investitorëve Evropian organizoi sot tryezë diskutimi me temën “Presidenca çeke e BE-së 2022 dhe Ballkani Perendimor”.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se Kosova ka pritje të mëdha nga Presidenca Çeke.

Ne e përshëndesim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe besojmë që ka qenë veprim i duhur për perspektivën evropiane të rajonit. Thërrasim Presidencën Çeke që momentumin pozitiv ta vazhdojë me vendimin e vonuar, tashmë më shumë se katër vite për liberalizimin e vizave”, u shpreh Bislimi.

Para 3 ditësh u bënë 4 vite nga konfirmimi i KE-së se janë përmbushur 95 kritere për liberalizimin e vizave. Derisa vitin e fundit, Kosova ka vazhduar që të tregohet e përkushtuar në reformat e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe migrimit.

Zëvendëskryeministri Bislimi, tha se në luftimin e korrupsionit është ndërruar tërësisht imazhi i Kosovës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Në tryezë u fol edhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rreth kësaj, zëvendëskryeministri Bislimi, tha se vitin tjetër bëhen 20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim. Perspektiva evropiane duhet të përkthehet në perspektivë për anëtarësim të plotë në BE, e aplikimi ynë është përpjekje për të konkretizuar këtë të fundit, për të cilën kemi mbështetjen mbi 90% nga popullsia dhe konsensus të gjerë të partive politike.

Në këtë tryezë ishin prezent dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, z.Tomáš Szunyog dhe Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.​