Bislimi: Në takime private, Vuçiqi e pranon që duhet ta njohë Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranon në takime private para zyrtarëve në Bruksel se duhet ta njohë Kosovën, por që për këtë duhet kohë. Kështu të paktën ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Në një intervistë për RTK2, Bislimi ka thënë se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare në dialogun me Serbinë e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon. Sipas tij, është e vështirë të normalizohen raportet pa njohje reciproke.
“Vuçiq në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t'i ofrojmë edhe Evropës. Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Njohja është e rëndësishme për ne, kontribuon për paqen, por Kosova mund të zhvillohet pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka bërë gjithashtu sërish deklaratën e çuditshme, se Kosova e ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë në rajon.