Bislimi ia paraqet ambasadorit të Irlandës “progresin e madh të Kosovës në tri vitet e fundit” - NACIONALE

Bislimi ia paraqet ambasadorit të Irlandës “progresin e madh të Kosovës në tri vitet e fundit”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Irlandës,Ragnar Almqvist.

Kështu ka njoftuar Qeveria e Kosovës, duke shtuar se Bislimi e ka njoftuar Almqvist për zhvillimin e madh të Kosovës në tri vitet e fundit.

Njoftimi:

Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj vendit tonë, e veçanërisht për mbështetjen në arenën ndërkombëtare. Irlanda do të marrë përsipër edhe presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2026.

Në takim u bisedua rreth fuqizimit të marrëdhënieve e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve tona në fusha me interes të përbashkët. Fokusi u përqendrua në mundësinë e kultivimit të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona, me theks në rrafshin e shkëmbimit të përvojave dhe në angazhimin e diasporës.

Zëvendëskryeministri e njohu ambasadorin edhe me aktualitetin e zhvillimet në vend, si dhe progresin që ka njohur vendi ynë në më shumë se tri vite të qeverisjes sonë, duke theksuar indikatorët ekonomikë.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për takimin e bisedën, duke shtuar se Kosova mbetet e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me Irlandën e thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes nesh.

Lajme të ngjashme