Bisedë e rrallë mes shefave të mbrojtjes të ShBA-së dhe Rusisë pas sulmit në Krime - NACIONALE

Bisedë e rrallë mes shefave të mbrojtjes të ShBA-së dhe Rusisë pas sulmit në Krime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, dhe ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrei Belousov, zhvilluan të martën një bisedë të rrallë telefonike në kohën e rritjes së tensioneve, pasi Moska e kishte fajësuar Uashingtonin për një sulm vdekjeprurës ukrainas në fundjavë në Gadishullin e Krimesë, që Rusia e kishte aneksuar nga Ukraina më 2014.

Të dyja palët dhanë përshkrime mjaft të ndryshme për bisedën e parë mes Austinit dhe ministrit të ri rus, Belousov, i cili e zëvendësoi në maj paraardhësin Sergei Shoigu, raporton agjencia “Reuters”.

Pentagoni tha se Austini dhe Belousovi diskutuan për rëndësinë e linjave të hapura të komunikimit. Zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Major Patrick Ryder, u tha gazetarëve se Austini e kishte bërë nismën për këtë bisedë dhe se kjo ishte telefonata e parë e tillë që nga marsi i vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, megjithatë, tha se Belousovi e paralajmëroi Austinin për rrezikun e dërgesave të vazhdueshme të armëve amerikane në Ukrainë.

“A. R. Belousovi tregoi për rrezikun e eskalimit të mëtejmë të situatës përmes dërgesave të vazhdueshme të armëve amerikane te forcat e armatosura ukrainase” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.

Në fundjavë, Rusia tha se Shtetet e Bashkuara ishin drejtpërdrejt përgjegjëse për një sulm ukrainas në Krime me pesë raketa amerikane që lanë të vdekur katër persona.

Shtetet e Bashkuara thanë këtë javë se Ukraina i merr vetë vendimet për përcaktimin e shënjestrave që do t’i sulmojë.

Lajme të ngjashme