Biletat për ndeshjen Slloveni–Kosovë, të shitura plotësisht
Federata e Futbollit e Sllovenisë ka njoftuar të hënën se të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Kosovës janë shitur, duke konfirmuar interesimin e madh për këtë përballje kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.
Ndeshja zhvillohet më 15 nëntor në Slloveni dhe, sipas njoftimit zyrtar, “të gjitha biletat janë shpërndarë më pak se një muaj para takimit”.
Federata sllovene ka bërë të ditur gjithashtu se hyrja në stadium do të jetë e kufizuar për tifozët që mbajnë simbole të shteteve apo ekipeve të tjera, përveç atyre që janë në sektorin e dedikuar për përkrahësit e Kosovës.
Aktualisht, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 7 pikë, tre më pak se Zvicra lidere dhe katër më shumë se Sllovenia. Pas përballjes në Ljubljanë, Kosova do ta mbyllë ciklin kualifikues më 18 nëntor, në “Fadil Vokrri”, kundër Zvicrrës.