Bien temperaturat: Sot mot i vranët dhe i freskët
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikua që sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe relativisht i freskët.
Sipas të dhënave meteorologjike, gjatë ditës priten intervale të shkurta me diell, por në pjesën më të madhe të vendit do të dominojnë vranësirat.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parasheh reshje shiu, të shoqëruara herë pas here me zhvillime lokale të reve konvektive.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9°C dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë 17°C deri në 20°C, duke shënuar vlera dukshëm më të ulëta se mesatarja e ditëve të fundit.
"Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullsisë. Rënia e temperaturave dhe freskia e ajrit do të ndikojnë pozitivisht te personat që janë ndjerë të lodhur nga temperaturat e larta të ditëve të kaluara. Personat me sëmundje kronike mund të kenë vetëm shqetësime të lehta për shkak të luhatjeve të motit", është thënë në njoftimin e IHMK.