Bideni dhe Trumpi takohen sot në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me fituesin e zgjedhjeve presidenciale, presidentin në ardhje, Donald Trump, për një takim ku pritet të diskutohet për tranzicionin e pushtetit mes administrative, edhe pse ekipi i Trumpit ende nuk i ka nënshkruar dokumentet për fillimin e procesit të dorëzimit të pushtetit.
Bideni do ta mirëpresë presidentin e ardhshëm në Zyrën Ovale, veprim tradicional i presidentëve në largim, të cilin Trumpi nuk e kishte respektuar më 2020, kur kishte fituar Bideni, raporton agjencia “Reuters”.
“Ai beson në norma, ai beson në institucionin tonë, ai beson në transferimin paqësor të pushtetit. Kjo është norma. Kjo është ajo që duhet të ndodhë” – tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Bideni dhe Trumpi e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin me vite dhe ekipet e tyre kanë pozicione mjaft të ndryshme për politika nga ndryshimet klimatike, te qasja ndaj Rusisë dhe tregtia.