Bideni autorizon 275 milionë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten autorizoi ndihma të reja ushtarake me vlerë të 275 milionë dollarëve për Ukrainën për t’i ofruar kapacitete të reja për t’i mposhtur dronët dhe për ta fuqizuar mbrojtjen kundërajrore, sipas një njoftimi të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Në këtë pako përfshihen edhe raketahedhës të sistemit HIMARS, 80 mijë predha artilerie, automjete ushtarake të tipit “Humvee” dhe rreth 150 gjeneratorë, raporton agjencia “Reuters”.
Kjo është hera e 27-të e shfrytëzimit të Aktit Presidencial për Tërheqje për Ukrainën, që ua lejon Shteteve të Bashkuara tërheqjen e artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes nga rezervat në mënyrë të shpejtë, pa miratim nga Kongresi, në rast të situatave urgjente.
Uashingtoni më parë ka njoftuar se do t’i dhurojë Ukrainës katër sisteme raketore me rreze të shkurtër, “Avenger”, të cilat përdorin raketa të tipit “Stinger”, si dhe raketa penguese të tipit HAWK. Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Ukrainës edhe sisteme të sofistikuara kundërajrore të tipit NASAMS.
Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Ukrainës asistencë të sigurisë me vlerë të rreth 19,3 miliardë dollarëve.