Berisha thotë se drejtësia shqiptare nuk heton aferat e Qeverisë
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar drejtësinë shqiptare për ndikime politike.
Gjatë seancës se sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ai ka thënë se SPAK-u nuk po heton aferat e qeverisë, pavarësisht abuzimeve.
“Pse nuk hetojnë Sarajet e Edi Ramës me gjatësi themelesh 57 metra, me oborr 5 mijë m të deklaruar se e ka blerë me 2 euro në një kohë kur shitej me 20 euro apo 40 euro në atë zonë? Pyesni pak pse nuk hetojnë ‘pallatin pajë’ të familjes Basha për të cilin s’kanë asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, por shpërblejne ndërtuesin, vetëm para 3 javësh me 11 milionë euro me 99% të fondit limit dhe i vetëm në garë?”, ka deklaruar.
Në adresimin e tij para deputetëve, ai ka thënë se rruga Ibë-Farkë ka kushtuar 210 milion euro.
“Çfarë ndodh me këtë drejtësi? A e dini ju që në aferën e djegësve Erion Veliaj vazhdon sikur s’ka ndodhur gjë dhe çdo ditë disbursohen nga paratë tuaja 80 mijë euro për këta hajdutë? Çfarë bën kjo drejtësi? Cila drejtësi është kjo? A e dini ju se 7 km rrugë nga Iba në Farkë kanë kushtuar 210 milionë euro? Ka kushtuar 30 milionë euro km. Ka shkuar 40% më shtrenjtë se kilometri në tunelin e Kalimashit. 100% më shtrenjtë se km në tunelin e Krrabës. Hetojnë këta…Prandaj këta u thurin lavde këtu dhe i duartrokasin”, është shprehur Berisha.