Berisha-Qeverisë Kurti: Është fëmijërore të merresh me targat në kohën e krizës më të madhe të globit
Ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se të merresh me qeshtjen e targave në këtë kohë krize, tregon se infantiliteti, popullizmi dhe mendësia fëminore është e vetmja cilësi e qeverisë aktuale.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se qeveria në këtë kohë po merret me tema teknike vetëm për të dhënë efekte propagandistike dhe tregon pamaturinë e saj ekstreme në raport me partnerët dhe në interesin shqiptar.
“Në vend që të koncentrohen në interesimin e shtuar të përfaquesve të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, MB e BE-së, që synim kanë stabilitetin në rajon rrjedhimisht hartimin e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë, për t’i mundësuar vendit tonë të dalë nga bllokimi pothuajse total, qeveria merret me tema teknike periferike vetëm për të dhënë efekte propagandistike dhe tregon pamaturinë e saj ekstreme në raport me partnerët dhe në interesin shqiptar”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ai gjithashtu tha se Qeveria duhet menjëherë të menjanojë temat periferike dhe të bashkëpunoj me Quintin për të arritur një marrëveshje të plotë dhe ta vendos Kosovën në palë konstruktive që do të mundësoj epërsi diplomatike dhe kualitet të marrëveshjes.
“Të papjekur dhe papërgjegjës, kryefortë në trajtimin sikurse kjo zonë është vetëm interes i tyre ndonëse nuk kemi asnjë komponentë për ta mbajtur ngase edhe siguria mbulohet nga KFOR-i, këta avantueristë politik rrezikojnë Kosovën dhe të ardhmen e saj nga izolimi total prej botës perendimore, një vendim që nuk po e merr as Serbia e cila është aleate historike e Rusisë”, ka shkruar Berisha.