Bekë Berisha e merr si shembull konfliktin Armeni – Azerbajxhan, ia huq keq
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, e ka përmendur si shembull konfliktin mes Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në Nagorno-Karabak për ta kritikuar kryeministrin Albin Kurti.
Sidoqoftë, deputeti opozitar mësa duket nuk ka njohuri domethënëse për luftën e shkurtër të vitit 2020 mes dy shteteve që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, që nuk ekziton më.
“Qysh tha kryetari [i AAK-së], Ramushi, ky [Kurti] është tu i la borxhet e veta. Nuk po du tash me bo ni komparacion [krahasim] mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, tek u kanë ni rast qeshtu, edhe kur e pushton Azerbajxhani, qitash n’fund, Armeninë, që ia murrë edhe ni copë, mas ni gjenocidi që i ka ndodhë atij populli, ai [nuk specifikon kush] i kish pa thanë Turqisë edhe Azerbajxhanit: “E kryva unë detyrën, ma s’kam borxhe.” Kam frikë se qikjo ka me dalë” – tha Berisha.
E vërteta:
Në vitin 2020, e as në vitin 2023, Azerbajxhani nuk e ka pushtuar Armeninë. Në konfliktin e vitit 2020, luftimet janë zhvilluar në rajonin e Nagorno-Karabakut, që nga vitet e nëntëdhjeta e deri më 2020 ishte nën kontrollin e armenëve etnikë, por territori nuk njihet si pjesë e Armenisë. Komuniteti ndërkombëtar e njeh sovranitetin e Azerbajxhanit mbi Nagorno-Karabakun. Këtu përfshihet edhe Franca, njëra nga aleatët më të fuqishme të Armenisë.
Rrjedhimisht, marrja e kontrollit në Nagorno-Karabak nga forcat azere nuk mund të quhet pushtim i Armenisë, sepse territori sovran i Armenisë, i njohur ndërkombëtarisht, nuk është prekur.