Beka i IPK: Janë evidentuar lëshime në procesin e gradimit në Policinë e Kosovës
Policia e Kosovës ka njoftuar sot pezullimin e procesit të gradimit të rreshterit pas rekomandimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Vendimi për kthimin e procesit në fazat fillestare u mor pasi u zbuluan parregullsi të konsiderueshme.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ka treguar se në përgjigje të ankesave dhe raportimeve të shumta në media, është nisur një inspektim i gjerë. Inspektimi, i nisur më 13 maj, përfshinte hetime në terren dhe konsultime me zyrtarët e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës. Si rezultat, IPK-ja ka identifikuar disa mangësi që cenonin integritetin e procesit të gradimit.
“IPK ka filluar këtë inspektim më 13 maj dhe bazuar në shumë aktivitete inspektuese në terren që janë ndërmarrë nga departamenti i inspektimeve, kontaktet që i kanë pasur me zyrtarë të departamentit të Burimeve Njerëzore të PK-së, nga ky inspektim kanë dalë tetë rekomandime prej të cilave është zbuluar se është cenuar kredibiliteti i procesit të gradimit bazuar në disa lëshime që janë evidentuar si rezultat i inspektimit, ku IPK ka dhënë tetë rekomandime, përfshirë edhe rekomandimin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo lëshimi në këtë proces të gradimit. Bazuar në këto rekomandime, PK ka marr vendimin që të kthejë në pikën zero këtë proces të gradimit”, ka thënë Beka.